UNICEF ka emëruar Alban Skënderajn si Ambasadorin e parë Kombëtar për Fëmijët në Shqipëri. Njoftimi është bërë në prag të Ditës Botërore të Fëmijëve e cila përkujtohet çdo vit më 20 Nëntor dhe këtë herë shënon 35 – vjetorin e miratimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës.
Emërimi i Albanit pason shumë vizita në terren me UNICEF-in në Shqipëri, ku ai ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i sfidave me të cilat përballen fëmijët shqiptarë. Ai vizitoi qendrën e urgjencës ku vëzhgoi mbështetjen e ofruar për fëmijët në nevojë, duke fituar njohuri mbi sfidat me të cilat përballen të rinjtë në rrezik dhe si të adresojnë nevojat e tyre; u takuan me nxënës të shkollave të mesme dhe panë ndikimin pozitiv të arsimit në jetën e fëmijëve; vizitoi Institutin për të Mitur në Kavajë ku u angazhua me fëmijët në konflikt me ligjin për të kuptuar përvojat dhe sfidat e tyre. Ai u takua me mësues shkollash, psikologë dhe punonjës socialë për të diskutuar çështjet dhe zgjidhjet e mundshme për përmirësimin e jetës së fëmijëve. Këto vizita ishin vendimtare në formësimin e të kuptuarit të tij për sfidat e ndryshme me të cilat përballen fëmijët shqiptarë dhe se si të avokohen në mënyrë efektive për nevojat e tyre.
Në fjalën e tij përshëndetëse Alban Skënderaj tha: “Isha vetëm 15 vjeç kur u largova nga Shqipëria për një jetë më të mirë në Itali. Anija, e projektuar për të transportuar vetëm tetëdhjetë njerëz, ishte e mbushur me 450 azilkërkues. Por më pas, u ktheva në vendin tim ku kam gjetur sukses dhe jam rilidhur me rrënjët e mia. Dhe në këtë moment, me një rol të ri, si Ambasador Kombëtar e UNICEF-it për Fëmijët. Do të jetë përgjegjësia ime e parë të sjell zërat e fëmijëve në biseda që po i prekin ata. Pas vizitave të mia në terren, e kam të qartë se duhet të bëjmë më mirë për çdo fëmijë në vendin tim. Jam mbushur me shpresë për shkak të projekteve të mbështetura nga UNICEF në Shqipëri. Por unë u godita gjithashtu nga pabarazitë që ekzistojnë, si për martesat e fëmijëve, shëndetin mendor, arsimin dhe aftësitë për punësim, barazinë gjinore, ndikimin e dhunës dhe varfërinë e fëmijëve tek fëmijët. Është shumë e rëndësishme që ne të mbështesim fëmijët që nga lindja deri në adoleshencë, në mënyrë që ata të mund të bëhen të rritur të shëndetshëm dhe produktivë, të cilët më pas mund të ndihmojnë në transformimin e vendit tonë. Nëse doni të jeni të shkëlqyer, qëndroni në Shqipëri dhe ndihmoni në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritshme për fëmijët tanë këtu”.
Përfaqësuesi i UNICEF-it, Murat Sahin theksoi se: “UNICEF ka kënaqësinë të mirëpresë Albanin si Ambasadorin tonë të parë Kombëtar. Në të vërtetë, ne kemi nevojë për më shumë miq si Alban Skënderaj, të cilët do të ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit për çështjet e të drejtave të fëmijëve, duke përfshirë avancimin e të drejtës së çdo fëmije për zhvillim të hershëm të fëmijërisë dhe arsim cilësor. Me Albanin që na bashkohet, ne jemi më të fortë në ndërtimin e një të ardhmeje premtuese evropiane për fëmijët shqiptarë, pa marrë parasysh sfidën”.
UNICEF