Shkruar tek Revista KALLZ
Në morinë e këshillave me TV, mediat sociale, faqet online, shpesh nuk dimë ku të bazohemi për procedurat që duhet të ndjekim për një higjienë më të mirë në shtëpitë tona, në shkolla dhe në ambiente të tjera publike. Jetës sociale nuk mund t’i shmangemi plotësisht.
Më poshtë do të gjeni disa këshilla praktike, por dhe disa shpjegime termash dhe procedurash, të cilat gjerësisht ngatërrohen dhe sjellin konfuzion.
E fillojmë me dy nga termat kryesorë dhe më të dëgjuar nga ju: pastrimi dhe dezinfektimi.
Pastrimi është: heqja e papastërtive, mikrobeve, ndotjes nga sipërfaqet. Kjo nuk i vret ato, por vetëm i heq, i zhvendos duke zvogëluar dendësinë e tyre dhe duke ulur riskun e shpërndarjes së infeksionit.
Dezinfektimi është: përdorimi i lëndëve të ndryshme për vrasjen e mikrobeve dhe viruseve nga sipërfaqja. Duhet të jemi të qartë që ky proces jo domosdoshmërisht pastron sipërfaqen, ndaj bëni mirë që të pastroni sipërfaqen në fillim dhe më pas të dizinfektoni. Kështu ulni akoma më shumë rrezikun e shpërndarjes së infeksionit.
Asnjë nga këshillat për higjienën në shtëpi ose shkollë nuk do të jetë funksionale nëse nuk zbatoni rregullat për higjienën personale. Le të rikujtojmë disa nga pikat kyçe në higjienën personale.
- Mbani maskë në mjediset publike
- Mbani distancën e sigurisë 1.5 – 2 metra nga individët rreth jush, qoftë në vendin e punës, kur prisni në radhë, kur kaloni në zona shumë të frekuentuara, etj.
- Shmangni prekjen e fytyrës, qafës me duar të palara dhe të padezinfektuara
- Kur të kolliteni apo tështini përdorni anën e brendshme të brrylit tuaj dhe jo duart.
- Lani, Lani, Lani duart! E keni dëgjuar shumë herë, por realisht është linja e parë e mbrojtjes. Sigurohuni që të lani duart për rreth 20-30 sekonda, sidomos pasi keni hequr maskën, keni tështirë, keni prekur sipërfaqe shumë të frekuentuara në mjediset e jashtme si: doreza dyersh, produkte, tavolinën, karrigen etj.
Një higjienë e mirë personale është fillimi dhe baza e kujdesit për veten dhe të tjerët rreth jush.
Këshilla gjenerale për pastrimin dhe dezinfektimin në shtëpi.
Një pikë të rëndësishme përbën zgjedhja e produkteve me të cilat pastroni dhe dezinfektoni. Sigurohuni që këto produkte të jenë të certifikuara dhe të sigurta për përdorimin tuaj. Lexoni me kujdes guidat për secilin produkt, për mënyrën e përdorimit, sasinë që duhet të përdorni. Mos përdorni produkte që kanë tre funksione në një, pasi nuk janë shumë efektive. Ato mund t’i përdorni në raste urgjente.
Filloni me pastrimin dhe dezinfektimin e zonave me frekuentueshmëri më të lartë, si dorezat e dyerve, tavolinat, sipërfaqet e jashtme të mobiljeve etj. Mos harroni pajisjet elektronike si celulari, telekomanda, laptopi, etj. Këto zona duhet të jenë prioritare dhe të pastrohen më shpesh, në rastin kur kemi të ftuar apo futeni në shtëpi. Duhet të dezinfektohen pas momentit të prekjes, në mënyrë që të shmangim përhapjen e infeksionit. Gjithashtu, përpiquni të mbani dritaret hapur, në mënyrë që shtëpia të ketë ajrim natyral të vazhdueshëm.
Tregoni kujdes gjatë vendosjes në lavatriçe të veshjeve, copave apo elementëve të tjerë, që janë në koshin për t’u larë. Mos i shkundni. Kështu, shmangni shpërndarjen e mikrobeve. Përdorni doreza, sidomos në rastin kur keni një person të infektuar në shtëpi. Nëse janë njëpërdorimëshe dorezat duhet t’i hidhni direkt pas përdorimit, ndërsa në rastin kur janë disa-përdorimëshe, duhet t’i dezinfektoni pas përdorimi. Kur nuk përdorni dorezat duhet të tregoheni shumë më të kujdesshëm. Është e rëndësishme që rrobat të thahen plotësisht pas larjes.
Për të shmangur infektimin është mirë të përdorni kodimin me ngjyra për pecetat, kovat, dorezat, në varësi të zonës së përdorimit. Caktoni ngjyrat për zonën e tualetit, kuzhinën, mobiljet dhe mos i ngatërroni materialet me njëra-tjetrën, në mënyrë që të përdorni po të njëjtat për të njëjtat zona. Materialet që përdorni për pastrim kanë një rëndësi vendimtare në efektivitetin e pastrimit dhe dezinfektimit.
Këshillat për pastrimin dhe higjienën në kushtet e reja të Covid 19 janë të shumta, por gjithçka fillon nga kujdesi ynë personal dhe të qenurit i përgjegjshëm për veten dhe të tjerët.