Artikulli u publikua më parë në Revistën Kallz

Suela Bala është shumë e dashur për fëmijët. Në fakt ajo është mike e madhe e librit dhe rrjedhimisht e çdo miku të tij. Kur ishte drejtore e bibliotekës së Lezhës, Suela ndërmori një nismë të veçantë. Krijoi një bibliotekë të lëvizshme dhe dërgoi mijëra libra në zona të thella e periferi të Lezhës, duke bërë abonentë të bibliotekës qindra mijëra fëmijë. Biblioteka e Lezhës u bë e vetmja bibliotekë në Shqipëri, që mbulonte me shërbimin e librit edhe zonën rurale, ku vetëm përgjatë vitit shkollor 2017-2018 kanë qarkulluar mbi 6000 libra me shërbimin e bibliotekës shëtitëse.

Për këtë arsye Suela u vlerësua këtë vit me çmimin e filantropisë nga Partnerët-Shqipëri.

Suela tregon se nuk e priste një reagim aq pozitiv dhe atë etje të fëmijëve për librin. “Mezi prisnin të shkonim dhe kam vërejtur me shumë emocion sa të përgjegjshëm ishin fëmijët për t’i mbajtur librat me kujdes, për t’ua kaluar sa më shumë shokëve siç i porosisnim dhe numri i tyre vetëm shtohej. Po ashtu shtohej kërshëria për të marrë në duar librat që shpesh ua këshilloja, duke u përpjekur t’u dalloj natyrën që kishte secili fëmijë e të kuptoja se çfarë libri do t’i pëlqente. Numri i lexuesve vetëm rritej. Për fatin tonë të mirë kishim arritur të blinim shumë libra, botime të reja, falë mbështetjes së donatorëve të ndryshëm që e çmonin këtë praktikë. Kam kujtime pafund, episode të mrekullueshme me shumë fëmijë, në çdo shkollë. Fëmijët dinë të mahniten nga leximi; duhet vetëm t’ua tregosh bukur këtë shteg”, thotë Suela.

Pas kësaj, Suela Bala ishte Këshilltare e Ministres së Kulturës dhe ndërmori nismën “Takim me librin”. Pjesë e këtij takimi u bë edhe Kallz, ndërsa Suela vazhdimisht ka orientuar fëmijët e Kallz me titujt e librave që nuk duhen humbur. Gjatë periudhës së karantinës Suela ka lexuar vazhdimisht libra për fëmijë në rrjetet sociale duke bërë që fëmijët të kenë një dritare ku të dëgjonin histori të përshtatshme për ta. Ajo është sot kryeredaktore e UET Press.

Por, çfarë mendon Suela për qasjen e fëmijës me librin? Çfarë funksionon, çfarë jo dhe si mund t’i afrojmë fëmijët me këtë mik të vyer për ta.

“Leximi kërkon disa instrumenta të brendshëm që janë shprehi dhe ndërtohen në vite”, thotë ajo. Thëniet për bisedat dhe leximin nuk nxisin leximin dhe nuk prodhojnë lexues, sipas saj.

Ajo vlerëson se hallka me e rëndësishme për ta lidhur një njeri me librin dhe leximin është fëmijëria e tij. Rolin më të madh e ka prindi dhe ja disa nga pikat që duhen pasur parasysh:

  1. Ndërto rutinën e të lexuarit të fëmijës që në fëmijëri, që i vogël. Kjo duhet bërë në një formë që të kthehet në ritëm.
  2. Kontributi më i rëndësishëm që japim ne te fëmijët është shembulli. Predikimi nuk mjafton. 
  3. Biseda me fëmijën. Komunikime në nivele shumë të thjeshta, përmes pyetjeve të tilla si: Çfarë ke ngrënë? Çfarë note ke marrë? Çfarë lexove sot? Ke lexuar ndonjë gjë të bukur sot?
  4. Fëmijët që lexojnë është shumë e rëndësishme që të dëgjohen nga prindi. Kështu fëmija shprehet dhe mëson të rrëfejë. Ai përmirëson shprehjen dhe komunikimin. Ky nevojitet të jetë proces i marrëdhënies mes librit dhe fëmijës.