Plani i Bashkimit Evropian për të luftuar përhapjen e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve në internet është ndalur përkohësisht, pasi vendet anëtare nuk arritën të bien dakord për mënyrën e zbatimit të tij. “Jo”-ja e Gjermanisë gjatë diskutimeve të kësaj jave rezultoi vendimtare për ta hequr projektligjin nga rendi i ditës i takimit të ardhshëm të ministrave të drejtësisë të BE-së, raportoi Euronews.
Propozimi i Komisionit Evropian, i paraqitur në vitin 2022, parashikon që platformat e mesazheve si WhatsApp, Telegram dhe Signal të detyrohen të kontrollojnë mesazhet dhe përmbajtjet multimediale për materiale të abuzimit seksual ndaj fëmijëve. Por pikërisht kjo masë, që përfshin edhe mesazhet me enkriptim “end-to-end”, është bërë pika më e debatueshme mes vendeve anëtare, për shkak të shqetësimeve për privatësinë dhe sigurinë kibernetike.
Sipas të dhënave të Komisionit, në vitin 2023 janë regjistruar rreth 1.3 milion raportime për raste të abuzimit seksual me fëmijë në BE, përfshirë mbi 3.4 milion imazhe dhe video. Komisioni argumenton se zbulimi vullnetar nga kompanitë digjitale nuk mjafton, por qeveritë e disa vendeve si Gjermania, Holanda, Austria, Finlanda dhe Polonia e kanë kundërshtuar planin, duke theksuar se ai cenon të drejtat themelore të qytetarëve.
Ministrja gjermane e Drejtësisë Stefanie Hubig e quajti “të papranueshme” idenë që komunikimet private të jenë nën dyshim të përgjithshëm. Ndërkohë, Holanda deklaroi se propozimi nuk garanton mbrojtjen e mjaftueshme të privatësisë dhe konfidencialitetit të komunikimeve.
Përkrahësit e planit përfshijnë Bullgarinë, Danimarkën, Francën, Hungarinë dhe Irlandën. Danimarka, që kryeson aktualisht takimet e ministrave të BE-së, mund të paraqesë një version të rishikuar të propozimit në muajt e ardhshëm.
Deri atëherë, mbeten në fuqi rregullat e përkohshme të direktivës së e-privatësisë, që lejojnë ofruesit e shërbimeve të mesazheve të përdorin vullnetarisht teknologji për të zbuluar dhe hequr përmbajtje të paligjshme, të cilat janë zgjatur deri më 3 prill 2026.