Ylli adoleshent i serialit Adolescence, Owen Cooper, ka hyrë në histori si mashkulli më i ri që ka fituar ndonjëherë një çmim Emmy. Vetëm 15 vjeç dhe ende duke u përgatitur për provimet e GCSE, ai u shpall fitues i kategorisë “Aktori më i mirë në rol dytësor” për interpretimin e tij të jashtëzakonshëm si Jamie Miller në mini-serialin me katër pjesë të Netflix, i xhiruar kur ai ishte vetëm 14 vjeç.
Në ceremoninë madhështore në Los Angeles, Owen u prit me një ovacion në këmbë dhe mori çmimin nga aktorja Sydney Sweeney, pasi la pas emra të mëdhenj të skenës si Javier Bardem.
Duke pranuar çmimin, adoleshenti nga Warrington tha:
“Sinqerisht, kur nisa kurset e dramës disa vite më parë, nuk e mendoja kurrë se do të isha në SHBA, e aq më pak këtu. Ky çmim mban emrin tim, por i përket njerëzve pas kamerës dhe gjithë kastit.”
Ai shtoi:
“Mbrëmja e sotme tregon se nëse dëgjon, fokusohemi dhe del nga zona e rehatisë, mund të arrish çdo gjë në jetë.”
Owen ndodhej në SHBA me prindërit dhe dy vëllezërit e tij, pasi shkolla i kishte dhënë një javë pushim për të marrë pjesë në event, por me kusht që të kryente edhe detyrat e shtëpisë – sidomos në matematikë.
Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm, ai kthehet menjëherë në Angli për të vijuar studimet. “Jam prapë në shkollë të mërkurën,” tha ai, duke pranuar me humor se “shkolla po shkon tmerrësisht keq” por se ishte i vendosur të mos dështonte.
Me këtë arritje, Owen Cooper bëhet fituesi më i ri mashkull i një çmimi Emmy në 77 vitet e historisë së këtij eventi prestigjioz, duke u kthyer në një frymëzim për shumë të rinj që ëndërrojnë të ndjekin pasionin e tyre.