Fëmijët sot po zgjedhin YouTube menjëherë sapo ndezin televizorin, një tjetër shenjë se kjo platformë video po zhvendoset gjithnjë e më shumë nga laptopi drejt dhomës së ndenjjes.

Sipas një raporti të gjerë mbi zakonet e shikimit në Mbretërinë e Bashkuar nga rregullatori i komunikimeve Ofcom, YouTube është bërë destinacioni i parë televiziv më i ndjekur nga gjenerata Alfa (fëmijët e lindur pas vitit 2010). Një në pesë fëmijë të moshës 4 deri në 15 vjeç e nisi shikimin e TV-së pikërisht në YouTube vitin e kaluar. Pas saj, renditej Netflix. Ndërkohë që BBC One mbetet mes pesë kanaleve të para të preferuara, fëmijët ishin po aq të prirur të zgjidhnin edhe platformën BBC iPlayer.

Rritja e ndikimit të YouTube në ekranin e televizorit nuk vjen vetëm nga fëmijët. Të dhënat tregojnë një ndryshim kulturor të vazhdueshëm: shikuesit mbi 55 vjeç kaluan mesatarisht 11 minuta në ditë në YouTube vitin e kaluar, gati dyfish më shumë se në vitin 2023. Nga ky shikim, 42% ndodh përmes televizorit. Në total, shikuesit kaluan mesatarisht 39 minuta në ditë në YouTube gjatë vitit 2024, duke e bërë atë shërbimin e dytë më të ndjekur në vend, pas BBC-së dhe përpara ITV-së.

Nga ana tjetër, të rinjtë e moshës 16 deri në 24 vjeç shikuan vetëm 17 minuta në ditë televizion tradicional në vitin 2024. Vetëm 45% e tyre ndoqën ndonjë program të transmetuar drejtpërdrejt gjatë një jave mesatare, në rënie nga 48% një vit më parë.

YouTube po shndërrohet gjithnjë e më shumë në konkurrent të drejtpërdrejtë për transmetuesit tradicionalë. Gjysma e videove më të klikuara në platformë tani kanë ngjashmëri me përmbajtjen e televizionit klasik, si intervista të gjata dhe lojëra televizive.

Kjo rritje e YouTube po paraqet një sfidë të madhe për transmetuesit publikë si BBC, ITV dhe Channel 4, të cilët duhet të vendosin se sa përmbajtje të tyre ta vendosin në këtë platformë. Nga njëra anë, kjo i ndihmon të arrijnë audienca të reja dhe më të reja në moshë; nga ana tjetër, YouTube përfiton një pjesë të madhe të të ardhurave nga reklamat, ndërkohë që ekziston rreziku që shikuesit të kalojnë më pak kohë në platformat e vetë transmetuesve.

“Transmetuesit publikë po e kuptojnë këtë ndryshim, duke u zhvendosur drejt hapësirave online ku audiencat po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë,” tha Ed Leighton, drejtues i përkohshëm për strategjinë dhe kërkimin në Ofcom. “Por ne kemi nevojë për më shumë ambicie, në mënyrë që mediat publike që vlerësohen nga publiku të mbijetojnë edhe në të ardhmen.”

Ofcom u ka kërkuar tashmë transmetuesve “në rrezik” që të bashkëpunojnë me YouTube për të vendosur më shumë përmbajtje të tyre atje, por ka theksuar se kjo duhet të bëhet me kushte të drejta tregtare.

Michael Grade, kryetar i Ofcom dhe ish-drejtues i Channel 4, u ka kërkuar ministrave që të shqyrtojnë ligje të reja që detyrojnë YouTube të japë më shumë hapësirë për përmbajtjen e transmetuesve publikë britanikë. Channel 4 është ndër më të avancuarit në këtë drejtim, duke thënë se kjo i ndihmon të arrijnë audienca të reja pa ndikuar negativisht në platformat e tyre. Edhe ITV njoftoi një marrëveshje të re me YouTube në fund të vitit të kaluar.

Ndërkohë, në BBC po zhvillohet një debat i brendshëm mbi përfshirjen e përmbajtjeve në YouTube, por duket se do të ketë më shumë përfshirje në të ardhmen. Së fundmi, drejtoresha e BBC News, Deborah Turness, u tha stafit se drejtori i ri i departamentit të inteligjencës artificiale në BBC do të ketë si një nga detyrat kryesore edhe rritjen e prezencës jashtë platformave të vetë BBC-së, me fokus të veçantë në strategjinë për YouTube dhe të rinjtë.

Koha e kaluar në shikimin e përmbajtjes video është thuajse e pandryshuar. Mesatarisht, çdo person kaloi rreth katër orë e gjysmë në ditë duke parë përmbajtje në shtëpi vitin e kaluar, vetëm një minutë më pak se një vit më parë.

Megjithatë, përmbajtja nga transmetuesit tradicionalë përbën ende pjesën më të madhe të kohës së shikimit (56%), por kjo përqindje ka rënë ndjeshëm nga 71% në vitin 2018.

YouTube është gjithashtu shërbimi më i përdorur audio online në Britani, me 47% të të rriturve që e përdorin çdo javë, i ndjekur nga Spotify me 36%. Gjithnjë e më shumë njerëz po dëgjojnë podkaste përmes YouTube, një tjetër dëshmi e ndikimit të tij në të gjitha format e medias.

theguardian