8 këshilla për t’i mbështetur dhe ngushëlluar fëmijët tuaj
Kur konfliktet apo lufta bëhen pjesë e lajmeve, kjo mund të shkaktojë ndjenja frike, trishtimi, zemërimi apo ankthi kudo që të jetoni. Fëmijët gjithmonë i drejtohen prindërve për ndjenjën e sigurisë dhe mbrojtjes, sidomos në kohë krizash.
Më poshtë janë disa këshilla për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të përballen me ndjenjat që lindin në situata të tilla:
1. Zbuloni çfarë dinë dhe si ndihen
Zgjidhni një moment dhe vend ku biseda mund të ndodhë natyrshëm dhe fëmija ndihet më i qetë për të folur, si për shembull gjatë një vakti familjar. Mundohuni të mos e hapni temën para gjumit.
Një pikënisje e mirë është ta pyesni fëmijën se çfarë di dhe si ndihet. Disa fëmijë mund të mos kenë shumë informacion ose të mos ndihen të interesuar për të folur, por të tjerë mund të jenë duke u shqetësuar në heshtje. Me fëmijët më të vegjël, vizatimet, tregimet apo lojërat mund të ndihmojnë për të hapur diskutimin.
Fëmijët mund të informohen për lajmet në shumë mënyra, ndaj është e rëndësishme të kuptoni se çfarë kanë parë apo dëgjuar. Kjo është një mundësi për t’i qetësuar dhe për të sqaruar çdo informacion të pasaktë që mund të kenë marrë nga TV, rrjetet sociale, shkolla apo shokët.
Fëmijët e vegjël shpesh nuk bëjnë dallim mes asaj që shohin në ekran dhe realitetit të tyre, ndaj mund të ndihen sikur janë në rrezik, edhe pse konflikti ndodh shumë larg. Fëmijët më të rritur mund të kenë parë përmbajtje shqetësuese në rrjetet sociale dhe të ndihen të frikësuar për të ardhmen.
Mos i minimizoni apo injoroni ndjesitë e tyre. Nëse fëmija bën pyetje të forta, si “A do të vdesim të gjithë?”, sigurojini se kjo nuk do të ndodhë, por përpiquni të kuptoni pse po mendon kështu dhe çfarë ka dëgjuar. Kështu, mund ta qetësoni më mirë.
Pranoni ndjenjat e tyre dhe sigurojini që është në rregull të ndihen kështu. Tregoni se po i dëgjoni me vëmendje dhe kujtojuni se mund të flasin gjithmonë me ju ose me një të rritur të besuar.
2. Mbani një ton të qetë dhe përdorni gjuhë të përshtatshme për moshën
Fëmijët kanë të drejtë të dinë se çfarë po ndodh në botë, por të rriturit kanë përgjegjësinë t’i mbrojnë ata nga shqetësimet e tepërta. Ju e njihni më mirë fëmijën tuaj, ndaj përdorni gjuhë të përshtatshme për moshën e tij, vëzhgoni reagimet dhe jini të ndjeshëm ndaj nivelit të ankthit të tyre.
Normale që edhe ju mund të ndiheni të trishtuar apo të shqetësuar, por fëmijët marrin shembull nga ju, ndaj përpiquni të mos ndani me ta frikërat tuaja personale. Flisni qetë dhe kontrolloni edhe gjuhën trupore, si shprehjet e fytyrës.
Sa më shumë të mundeni, sigurojini se janë të sigurt. Kujtojuni se shumë njerëz po punojnë në mbarë botën për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të sjellë paqe.
Nëse nuk e dini përgjigjen e ndonjë pyetjeje, është në rregull ta pranoni. Me fëmijët më të mëdhenj mund ta kërkoni bashkë informacionin, duke përdorur burime të besueshme si UNICEF apo Kombet e Bashkuara. Shpjegojuni që jo çdo gjë online është e saktë dhe është e rëndësishme të dimë nga vjen informacioni.
3. Nxitni dhembshuri, jo paragjykime
Konfliktet shpesh shoqërohen me urrejtje apo paragjykime ndaj kombeve apo grupeve të caktuara. Kur flisni me fëmijët, shmangni etiketat si “njerëz të këqij” apo “të ligj”. Përdorni momentin për të nxitur ndjeshmërinë ndaj atyre që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Edhe kur konflikti ndodh larg, ai mund të shkaktojë diskriminim në vendin ku jetoni. Sigurohuni që fëmija nuk po bullizohet apo nuk po përfshihet në sjellje diskriminuese ndaj të tjerëve. Nëse është ngacmuar në shkollë, inkurajojeni të flasë me ju ose me një të rritur tjetër të besuar.
Kujtojini fëmijës se çdo njeri ka të drejtë të ndihet i sigurt, si në shkollë ashtu edhe në shoqëri dhe se bullizmi apo diskriminimi janë gjithmonë të gabuar.
4. Përqendrohuni te njerëzit që ndihmojnë
Është e rëndësishme që fëmijët të dinë se shumë njerëz po ndihmojnë me guxim dhe mirësi. Kërkoni së bashku histori pozitive – si punonjësit që ndihmojnë në zonat e krizës apo të rinjtë që angazhohen për paqe.
Edhe veprimet e vogla mund të sjellin shumë qetësi dhe ndjesi përfshirjeje.
Pyeteni nëse do të donte të bënte diçka vetë, të vizatojë një poster për paqen, të shkruajë një poezi apo të marrë pjesë në ndonjë nismë lokale. Ndjesia që po kontribuon, edhe në mënyrë modeste, mund të sjellë rehati.
5. Mbyllni bisedën me kujdes
Në përfundim të bisedës, sigurohuni që fëmija nuk ka mbetur i shqetësuar. Vëzhgoni sjelljen e tij, tonin e zërit dhe frymëmarrjen për të kuptuar nivelin e ankthit.
Kujtojini se e doni dhe se jeni gjithmonë aty për ta dëgjuar dhe mbështetur kur ka shqetësime.
6. Vijoni të kontrolloni si ndihen
Ndërsa lajmet vazhdojnë, është e rëndësishme të vazhdoni të kontrolloni si ndihen fëmijët. A kanë ndonjë pyetje të re? A janë të shqetësuar?
Shikoni për ndryshime në sjellje si dhimbje barku, pagjumësi, ankth, ndryshim në oreks ose sjellje më tërheqëse. Fëmijët reagojnë ndryshe ndaj ngjarjeve stresuese. Të vegjlit mund të bëhen më të lidhur me prindërit, ndërsa adoleshentët mund të shfaqin trishtim të thellë apo zemërim.
Shumica e këtyre reagimeve janë normale dhe kalimtare. Por nëse zgjaten, mund të jetë nevoja për ndihmë profesionale.
Për të ulur stresin, mund të bëni bashkë ushtrime frymëmarrjeje të thellë:
- Merrni 5 frymëmarrje të thella.
- 5 sekonda për të thithur ajrin nga hunda, dhe 5 sekonda për ta nxjerrë nga goja.
- Shpjegojini fëmijës që barku fryhet si tullumbace kur merr frymë dhe shfryhet ngadalë kur nxjerr ajrin.
Nëse biseda ndodh para gjumit, mbylleni me diçka të këndshme si leximi i një tregimi të preferuar.
7. Kufizoni përmbytjen nga lajmet
Jini të kujdesshëm me ekspozimin që fëmijët kanë ndaj lajmeve, sidomos kur ka pamje tronditëse. Me të vegjlit, mund të mbyllni televizorin kur jepen lajme të tilla. Me fëmijët më të mëdhenj, flisni për burimet e informacionit që ndjekin dhe kohën që kalojnë me lajmet.
Mundohuni të krijoni aktivitete pozitive që e largojnë mendje, si një shëtitje apo lojë me familjen.
8. Kujdesuni për veten
Do të jeni në gjendje të ndihmoni fëmijët më mirë nëse kujdeseni edhe për veten tuaj. Ata e ndiejnë kur ju jeni të qetë dhe të pranishëm.
Nëse ndiheni të mbingarkuar, merrni kohë për veten, flisni me miqtë, familjen apo njerëz të besuar. Kufizoni kohën që kaloni duke ndjekur lajmet dhe krijoni hapësira për pushim e relaksim.
Në çdo situatë, mbani mend: nuk është e nevojshme të jeni perfekt, fëmijët kanë nevojë për dashuri, përkujdesje dhe për prindër që janë të pranishëm dhe të gatshëm t’i dëgjojnë.