Një shërbim i ri përkthimi letrar me inteligjencë artificiale është lançuar në Mbretërinë e Bashkuar, duke synuar si botuesit tradicionalë ashtu edhe autorët e vetëbotuar. GlobeScribe.ai ofron përkthimin e një libri në një gjuhë tjetër për vetëm 100 dollarë, por përkthyesit profesionistë e kanë cilësuar këtë nismë si kërcënim për cilësinë dhe vlerën e përkthimit letrar.

Themeluesit e GlobeScribe, Fred Freeman dhe Betsy Reavley, të njohur më parë si themelues të Bloodhound Books, thonë se gjithmonë do të ketë vend për përkthimin njerëzor, veçanërisht për tekstet letrare të ndërlikuara. Sipas tyre, shërbimi i ri hap rrugën për më shumë mundësi, duke e bërë përkthimin të përballueshëm për një gamë më të gjerë autorësh të veprave të ndryshme.

GlobeScribe pretendon se ka kryer “teste të verbëra” të zgjeruara për të vlerësuar performancën e sistemit. Folës amtare të gjuhëve përkatëse kanë lexuar përkthime të realizuara nga AI dhe nga njerëz, pa e ditur se cili version ishte përkthyer me cilin metodë. Sipas kompanisë, lexuesit nuk kanë mundur të dallojnë me saktësi burimin e përkthimit dhe, në disa raste, versionet e përkthyera me ndihmën e AI-së janë vlerësuar si më besnike dhe më afër tonit të dorëshkrimit origjinal në anglisht.

Megjithatë, shumë përkthyes të njohur dhe organizata përfaqësuese të përkthyesve kanë shprehur shqetësim ndaj këtij zhvillimi.

Ian Giles, kryetar i Shoqatës së Përkthyesve në kuadër të Shoqatës së Autorëve në MB, tha se edhe pse GlobeScribe pretendon të hapë dyert për letërsinë në shkallë globale, qasja e saj anashkalon vetë profesionistët që e bëjnë letërsinë të prekshme për kultura të ndryshme. Sipas tij, të sugjerosh se AI mund të rivalizojë ose të tejkalojë punën e nuancuar të përkthyesve njerëzorë është një pohim i gabuar.

Edhe përkthyesja Polly Barton autore dhe përkthyese e veprave si romani bestseller Butter nga Asako Yuzuki, nga japonishtja në anglisht, theksoi se përkthimi letrar nuk është vetëm çështje saktësie gjuhësore apo besnikërie ndaj fjalëve. Ai përfshin gjithashtu ritmin, atmosferën, emocionin, kontekstin kulturor dhe ritmin emocional të veprës, gjëra që janë të vështira për t’u riprodhuar nga një makinë.

Fituesja e çmimit ndërkombëtar Booker për përkthimin e romanit Heart Lamp nga Banu Mushtaq, nga kanadaja në anglisht, Deepa Bhasthi, vuri në dukje se shumë fjalë në gjuhën kanadeze përmbajnë univers të tërë kulturor brenda tyre – elementë të dukshëm dhe të nënkuptuar, që kërkojnë një qenie njerëzore me ndjeshmëri dhe njohuri kulturore për t’i përkthyer siç duhet.

Për sa i përket metodologjisë së testimit të përdorur nga GlobeScribe, Barton theksoi se të jesh folës amtar nuk të bën domosdoshmërisht të aftë për të gjykuar përkthime letrare me autoritet të plotë. Edhe Bhasthi shtoi se kompania nuk ka dhënë informacion se çfarë lloj tekstesh janë përdorur apo çfarë profili kanë pasur lexuesit që morën pjesë në testim.

Përkundër kritikave, themeluesit e GlobeScribe shprehen se e kuptojnë që një pjesë e industrisë është me të drejtë e kujdesshme për ndikimin që mund të ketë AI në art. Por ata theksojnë se këto mjete janë tashmë pjesë e realitetit dhe duhen përqafuar me përgjegjësi. Sipas tyre, inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në rritjen e produktivitetit të përkthyesve profesionistë, duke i mbështetur në punën e tyre, dhe nuk synon t’i zëvendësojë ata.

Megjithatë, Julia Sanches përkthyese e veprës Boulder nga Eva Baltasar, nga katalanishtja në anglisht u shpreh e shqetësuar për rritjen e shërbimeve të përkthimit me AI. Ajo paralajmëroi se kjo krijon përshtypjen se përkthimi është një proces i menjëhershëm, gjë që nënvlerëson punën e përkthyesve dhe e ul standardin e cilësisë letrare. Sipas saj, vendosja e standardit “mjaftueshmërisht mirë” dëmton si autorët, ashtu edhe lexuesit.

Polly Barton shtoi se përkthyesit ndoshta janë të parët që përballen me rrezikun e zëvendësimit nga teknologjitë e AI-së, por se ky rrezik do të prekë gjithnjë e më shumë profesione në të ardhmen. “Varet nga ne nëse do ta lejojmë këtë të ndodhë”, përfundoi ajo.

Theguardian