SUV-të me kofano të lartë kanë më shumë gjasa të shkaktojnë vdekje dhe po shtohen gjithnjë e më shumë në Europë – Britania e Madhe është ndër shembujt më ekstremë.

Lartësia në rritje e pjesës së përparme të makinave të reja në Britani dhe në pjesë të tjera të Europës përbën një kërcënim të qartë dhe në rritje për sigurinë publike, veçanërisht për fëmijët, thuhet në një raport të ri nga organizata Transport & Environment (T&E).

Sipas analizës, sa më e lartë të jetë kofanoja, aq më të larta janë gjasat që një përplasje me këmbësorë të përfundojë me vdekje. Në disa raste, drejtuesit e mjeteve me pjesë të përparme shumë të lartë nuk arrijnë të shohin fëmijë deri në moshën 9-vjeçare kur ata ndodhen përpara mjetit.

Britania rezulton të ketë numrin më të lartë të makinave me kofano mbi 100 cm, kryesisht për shkak të shitjeve të mëdha të modeleve Land Rover, të cilat bashkë me Jeep janë të vetmet marka me një mesatare lartësie të kofanos mbi 1 metër. Sipas raportit, Land Rover po shfrytëzon efektin frikësues të pamjes masive të këtyre mjeteve, duke anashkaluar rreziqet që vijnë prej tyre.

Rreziku për fëmijët dhe këmbësorët

SUV-të me kofano të lartë godasin organet vitale te të rriturit dhe kokën te fëmijët, duke shtuar ndjeshëm rrezikun për jetën. Ndryshe nga makinat me kofano të ulët që prekin kryesisht këmbët dhe e shtyjnë trupin në anë, mjetet e larta i përplasin njerëzit poshtë vetes.

Në Europë, lartësia mesatare e kofanos së makinave të reja është rritur nga 77 cm në vitin 2010 në 84 cm në vitin 2024, paralelisht me rritjen e shitjeve të SUV-ve nga 12% në 56% të tregut.

Ky fenomen, i njohur si “autombobezia” (ose “carspreading”), po ndikon jo vetëm në sigurinë rrugore, por edhe në ndotjen klimatike. SUV-të ndotin mesatarisht 20% më shumë, dhe rritja e tyre po neutralizon përfitimet që vijnë nga përmirësimet në efikasitet dhe nga makinat elektrike.

Fëmijët bëhen të padukshëm për shoferët

T&E porositi testime në bashkëpunim me Universitetin e Loughborough, të cilat treguan se një shofer i Ram TRX nuk arrin të shohë fëmijë deri në 9 vjeç që qëndrojnë përpara makinës. Me një Land Rover Defender, drejtuesi nuk shikon fëmijë deri në 4 vjeç e gjysmë.

Sipas një studimi belg me 300,000 raste aksidentesh, çdo rritje prej 10 cm në lartësinë e kofanos – nga 80 cm në 90 cm – shton me 27% rrezikun e vdekjes për këmbësorët dhe çiklistët. Rreziku është ndjeshëm më i madh për fëmijët.

Nuk ka kufizime ligjore për lartësinë e kofanos

Aktualisht, nuk ekziston asnjë kufi ligjor për lartësinë e kofanos në Britani dhe Europë. T&E i bën thirrje autoriteteve që të vendosin një kufi maksimal prej 85 cm deri në vitin 2035.

Çdo ditë humb jetën një fëmijë në rrugët tona, dhe megjithatë lejojmë të prodhohen makina aq të mëdha saqë fëmijët janë të padukshëm nga sedilja e shoferit. Si mund të pranohet një gjë e tillë?”, deklaroi Barbara Stoll, drejtore e fushatës Clean Cities pranë T&E.

Në disa qytete europiane si Parisi, Lioni dhe Aacheni, makinat më të mëdha paguhen më shumë për parkim. Edhe qytete britanike si Cardiff, Bristol, Oxford dhe distrikti Haringey në Londër po shqyrtojnë masa të ngjashme. Kuvendi i Londrës ka kërkuar zyrtarisht vendosjen e kufijve për lartësinë e kofanos.

Çfarë thonë prodhuesit?

Një zëdhënës i Jaguar Land Rover tha: “JLR është e përkushtuar ndaj standardeve më të larta të sigurisë. Ne investojmë vazhdimisht në teknologji të avancuara, si sistemet e frenimit emergjent (AEB), kamerat 3D dhe detektimi i këmbësorëve.”

Por T&E thekson se edhe mjetet me teknologji të sigurisë AEB janë shumë më të rrezikshme nëse kanë kofano të lartë krahasuar me makina më të ulëta që përfshijnë të njëjtën teknologji.

Përfundimi: Nevojitet ndërhyrje ligjore

Raporti përmend edhe sloganë agresivë të përdorur në marketing për këto makina, si “Locked and loaded” për Land Rover Defender dhe “Built to impress, known to intimidate” për Ram. Sipas autorëve, këto kompani po promovojnë intimidimin dhe pamjen agresive, duke neglizhuar pasojat për jetën e njerëzve.

Rritja e makinave me kofano të lartë përbën një kërcënim të qartë dhe të shtuar për sigurinë publike – veçanërisht për fëmijët. Meqë nuk sjellin asnjë përfitim shoqëror, është koha që ligjvënësit në çdo nivel të marrin masa”, thuhet në përfundim të raportit.

Theguardian