Nga Lira Gjika

Duhet të ndalohet me ligj përdorimi i shprehjes “mbylle gojën” në institucionet arsimore, veçanërisht në shkolla dhe institucione parashkollore. Kur kjo shprehje i drejtohet një fëmije, ajo nuk është thjesht e vrazhdë – ajo është kërcënuese, poshtëruese dhe frikësuese. Një fëmijë që e dëgjon këtë shprehje, jo vetëm që ndihet keq, por edhe i pavlerësuar, i izoluar dhe i heshtur me forcë.

Fatkeqësisht, kjo shprehje është bërë e zakonshme dhe përdoret gjerësisht jo vetëm në familje, por edhe në shkolla, rrugë e kudo. Ajo është normalizuar në ndërveprimet e përditshme, shpesh pa vetëdije për ndikimin e saj negativ në zhvillimin emocional të fëmijës.

Kjo nuk është hera e parë që vihet në dukje dëmi që mund të shkaktojnë fjalët. Dikur, u ndërmor një hap i rëndësishëm duke ndaluar përdorimin e shprehjes “pusho” në shkolla dhe çerdhe. Por, për fat të keq, edhe ajo nuk është zhdukur plotësisht nga fjalori i përditshëm, veçanërisht në raportet mes të rriturve dhe fëmijëve.

Ka ardhur koha – madje jemi të vonuar – që të përmirësojmë fjalorin që përdorim me fëmijët. Sepse janë fjalët ato që formësojnë mendimin dhe vetëdijen. Njeriu mendon në bazë të fjalëve që njeh dhe përdor. Nëse përdorim një fjalor të varfër, të ashpër dhe autoritar, është e pamundur të edukojmë mendim të lirë, reflektim dhe vetëdije të shëndetshme.

Të dashur prindër, mësues, edukatorë dhe të rritur, ju që jeni çdo ditë në kontakt me fëmijët: kujdesuni për fjalët që përdorni. Shprehje si “mbylle gojën” nuk janë mjet edukimi, por mjete kontrolli dhe nënshtrimi që lëndojnë. Zgjidhni fjalë që udhëheqin, frymëzojnë dhe shpjegojnë. Sepse fëmijët mësojnë nga mënyra se si i flasim, jo vetëm nga ajo që u themi.

Ky tekst është marrë nga një status i publikuar nga pediatre Lira Gjika në rrjetin social Facebook. Publikimi i tij në këtë media bëhet me respekt të plotë për autorësinë dhe qëllimin ndërgjegjësues të mesazhit të saj.