“Oh nëne!”, një thirrje e pavetëdijshme që del edhe nga buzët e një plaku 100- vjeçar.

Natyrisht, që kjo ndodh në çaste të vështira apo kur shpirti mbushet me vetmi por askush nuk e mohon dot qetësimin magjik të kësaj fjale.

Njeriu mbrojtjen e vërtetë e “gjen” tek nëna. Nëse ai e ka marrë atë në kohën e duhur; në fëmijërinë e hershme, në çastin e ardhjes në këtë botë, ku vetëm “kontakti fatlum” me trupin e nënës e transformon frikën në gëzim. Kontakti me trupin e nënës është ai që e siguron dhe e qetëson fëmijën.

Ajo vërtetë në fillimet e saj nuk është shumë e zhdërvjellët, por kjo nuk përbën problem, përkundrazi është diçka normale. Ata të dy brenda pak ditësh arrijnë harmoninë me njëri-tjetrin. Mjafton të mos ndërhyjnë të “huajt”.

“Të huajt” mund të veprojnë në disa gjëra më mirë se nëna dhe mund ta qetësojnë fëmijën, por nuk mund ta ndihmojnë që ai të kapë ritmin e jetës, cilësi që e ka vetëm nëna.

Ndërhyrja e të tjerëve vetëm prish harmoninë e veprimeve të tyre dhe nuk lejon që proceset të ndërtohen në më të mirën e mundshme. Vetëm nëpëmjet saj, fëmija mund të integrohet në këtë botë, në mënyrën më të mirë të mundshme.

Të gjitha ndërhyrjet e tjera edhe sikur të bëhen prej specialistëve të mirëfilltë, nuk mund ta realizojnë këtë proces. Duhet “ndërmjetësi” nënë, nëpërmjet zbulimit të së cilës, ai të njoh mjedisin dhe ta bëjë të tijin.

Çdo gjë që nuk vjen nëpërmjet nënës, atij i provokon frikë dhe ai e refuzon. Të gjthë ata që e rrethojnë fëmijën, duhet të afrohen tek ai nëpërmjet nënës. Që nga çastet e para dhe në vazhdim ajo do të asistojë në eksplorimin e mjedisit deri në fillimin e pubertetit.

Lira Gjika