Depresioni tek adoleshentët jep simptoma që shkojnë më larg se një humor melankolik dhe mund të shkatërrojë thelbin e personalitetit të adoleshentit.
Në përpjekje për të përballuar dhimbjen emocionale ata mund të veprojnë kështu:
- Humbje ose shtim në peshë(5%).
- Pagjumësia ose hipersomnia (gjumi i tepërt).
- Axhitacion psikomotor ose prapambetje
- Lodhje ose mungesë e energjisë
- Ndienja të fajit ose pavlerësisë
- Përqëndrim i ulur dhe pavendosmëri
- Mendime të përsëritura rreth vdekjes
1. Humbje ose shtim në peshë (5%)

Stomaku i një adoleshenti në depresion “komandohet” nga emocionet. Këto ndjenja vendosin për sasinë e ushqimit që ai duhet të konsumojë apo çfarë.
Për shembull:
- Ndjenja faji: Do tentojë “të ndëshkojë” trupin e tij/saj duke mos i dhënë ushqim mjaftueshëm, si një formë që ata mendojnë të shlyejnë fajin.
- Mendime të shpëtimit të përhershëm: Një nxitje që vjen nga mendime suicidale (vetëvrasëse), të cilët e shikojnë vdekjen si shpëtim apo çlirim.
- Mpirja emocionale: Ata thjesht nuk ndjejnë më asgjë. Vetëdëmtimet bëhen të zakonshme në këtë periudhë, pasi dhimbja fizike i bën të ndihen gjallë.
Të gjitha këto, shkaktojnë ndryshime të menjëhershme në trup, brenda një kohe të shkurtër. Kjo sepse, efektet e depresionit nuk prekin vetëm anën tone emocionale-mendore, por edhe atë fizike. Trupi jonë është një shfaqje e emocioneve që ndjejmë.
2. Pagjumësia ose hipersomnia (gjumë i tepërt)

Në përgjithësi, adoleshentët me ose pa depresion kanë probleme me rënien në gjumë dhe zgjimin herët dhe kjo për arsye të ndryshimit të orës biologjike.
Së dyti, truri në këtë fazë e prodhon më vonë hormonin e melatoninës gjatë natës, ndryshe nga të rriturit apo fëmijët e vegjël.
Gjithashtu, shqetësim për depresion është kur adoleshenti po privon orët e gjumit nga problemet emocionale dhe jo nga rrjetet sociale, filmat, çatimi etj.
- Luftë me trishtimin: Prirja për të menduar negativisht është e lartë kur jemi në depresion.
- Nervozizëm: Ndodhitë e ditës, shqetësime nga bullizmi, dëshira për pavarësi, apo niveli i ulët i energjisë si pasojë e pagjumsisë, etj.
- Stres psikologjik: Mund të jetë familja shkolla, mos konfirmimi në shoqëri, bëhen burim stresi.
- Ankth: Pritshmëritë e prindërve, mospranimi, keqpërshtatja, hormonet, presioni shoqëror, gjeneron ankth.
- Humor depresiv: Një adoleshent me humor depresiv ndihet i dëshpëruar dhe zgjat më shumë se dy javë.
3. Axhitacion psikomotor ose prapambetje

Janë disa zona në tru, të cilat janë përgjegjëse për lëvizjen e trupit dhe që çrregullimet e humorit si p.sh depresioni ka fuqi t’i ngadalësojë ato deri në mosfunksionim dhe anomali.
Adoleshëntët e depresionuar mund të shfaqin këto shenja. Prapambetja psiko-motore është një kriter unik në lidhje me atë se çfarë përfshin simptomalogjia depresive.
Përmes vëzhgimeve të drejtpërdrejta do vlerësoni probleme të dukshme të :
- Sjelljes;
- Të folurit;
- Shprehjes së fytyrës;
- Lëvizjeve të syve;
- Prekjes;
- Qëndrimit;
- Shpejtësisë dhe shkallës së lëvizjeve.
Më të shpjeguara i gjeni si më poshtë:
- Ngadalësimi psiko-motor: Kjo është një nga shenjat e dukshme që depresioni tregon, duke përfshirë lëvizjen e duarve, këmbëve dhe kokës.
- Problemet në të folur: P.sh: Ka pushime të shtuara mes fjalëve dhe fjalive dhe probleme në artikulimin dhe gjatësinë e përgjigjjes.
- Shikimi: Lëvizjet karakteristike të syve mund të jenë të fiksuara diku për një kohë shumë të gjatë ose nuk ruajnë kontaktin me sy.
- Postura: Qëndrimi i tyre është i anuar ose i rënë para. Kanë vështirësi të qëndrojnë në këmbë.
- Shpehjet e fytyrës: Mimika e tyre është pa emocion, ose e thënë ndryshe neutrale ndaj shprehjes së emocioneve..
- Prapambetje psiko-motorike: Karakteristikë është ngadalësimi i rëndë psikomotor. Imazheria e trurit të tyre, mund të tregojë anomali frontostriatale dhe të tjera.
Depresioni tek adoleshentët sjell ankesa për sëmundje fizike si dhimbje koke ose dhimbje barku. Nëse nga ekzaminimi mjeksor nuk zbulohet një shkak fizik, mund të themi se këto dhimbje këto tregojnë depresion.
4. Lodhje ose mungesë e energjisë

Lodhja kronike tek një i ri mund të duket pa sens, kur supozohet se ato janë në kulmin e energjisë së tyre. Megjithatë, në një gjëndje depresive për një adoleshent, lodhja bëhet e zakonshme.
Arsyet pse një adoleshent depresiv vuan nga lodhja kronike janë:
- Pagjumësia: Modelet e çrregullta ose të ndryshuara të gjumit dhe gjumi i pamjaftueshëm.
- Anemia: Dietat jo të shëndetshme dhe problemet në të ushqyer, kontribuojnë poashtu në shfaqjen e anemisë dhe sjellin si rezultat lodhjen.
- Stresi mendor-emocional: Të ndjerit vazhdimisht i trishtuar konsumon energji. Gjithashtu, relaksimi është i vështirë për ta.
5. Ndjenja të fajit ose pavlefësisë

Depresioni tek adoleshentët ka aftësinë të shtrembërojë përceptimet për të kaluarën. Në këtë rast faji bëhet i tepërt, i shpeshtë, ose lidhet me diçka që nuk është faji ynë.
Ndjeshmëria ekstreme ndaj kritikës, i bën adoleshentët në depresion të jenë të rrënuar nga ndjenja e pavlefshmërisë, kur kritikohen, refuzohen apo dështojnë.
Ballafaqimi me fajin dhe pavlefësinë si adoleshentë, përfshin:
- Modelin e prindërimit: Jo suportes, ndëshkues, mosvleresues, mungesa e dashurise/empatisë, keq-atashimi etj.
- Mos përmbushjen e pritshmërive: Prindërit marrin vendime për ta, u vendosin qëllime jorealishte dhe jo në përputhje me aftësitë/dëshirat e tyre.
- Mospranimi i vetes: Kalimi shpejt në kritikimin, gjetjen e defekteve dhe aspekteve negative të vetes.
- Vetëvlerësim i ulët: Vjen nga çështje të tilla si mbipesha, problemet familjare, bullizmi ose problemet akademike etj.
- Krahasimi: Në përpjekje për të ndërtuar identitetin e tij, adoleshenti shikon për gjetjen e modeleve dhe vë në dyshim aftësitë, tiparet e tij.
- Bullizmi: Ngacmimet dhe bullizmi i shokëve për një tipar të dukshëm apo mënyrë të sjelluri ndryshe nga grupi.
- Ngjarje stresuese: Divorci i prindërve, vdekja e një të afërmi, etj, padrejtësisht bëjnë me faj veten.
- Ngushëllim me ushqim: Një pjesë tjetër, dëshpërimi i dërgon të gjejnë ngushëllim tek ushqimi (ushqyerja emocionale).
6. Përqëndrim i ulur dhe pavendosmëri

Rënditen një sërë arsyesh pse adoleshenti ka nivel të ulët përqëndrimi dhe nivel të lartë pavendosmërie, sidomos kur është i përfshirë depresioni në të.
Për shembull depresioni tek adoleshentët mund të shfaqë disa ose të gjitha simptomat apo sjelljet e mëposhtme:
- Hutohet lehtësisht, qoftë nga zhurma të jashtme apo mendimet e tij;
- Bën sjellje impulsive dhe ndonjëherë të rrezikshme, pasi nuk janë të planifikuara dhe të kujdësshme;
- Kërkon shumë kohë për të kryer detyrat e shtëpisë;
- I duhet të lexojë gjërat nga fillimi vazhdimisht sepse humbet fokusin dhe nuk thith atë që lexon;
- Ka probleme të përfundojë argumentin sepse ka shkëputje mendimi;
- Harron gjëra të rëndësishme në vende të ndryshme;
- Padurimi i shtuar (p.sh kur i duhet të presë në rradhë apo ndërpret të tjerët kur flasin);
- Bëhet problematik në shkollë;
- Qëndrimi ulur për një kohë të gjatë e furstron;
- Ka probleme të të rënit në gjumë dhe zgjimit;
Ndërkohë shkaqet e këtyre simptomave janë:
- Lodhja dhe stresi emocional;
- Ndryshimet hormonale;
- Dieta e dobët;
- Shqetësim;
- Dhimbje fizike;
- Ilaçe që shkaktojnë mungesë përqendrimi;
7. Mendime të përsëritura rreth vdekjes

Adoleshenca, e sigurt që është kohë e një mundësie të jashtëzakonshme, por gjithashtu mund të jetë një periudhë stresi dhe shqetësimi. Ka presion për tu përshtatur në aspektin shoqëror, për të performuar mirë akademikisht dhe për të vepruar me përgjegjësi.
Një kohë e krijimit të identitetit, marrëdhënieve seksuale, një nevojë për pavarësi që shpesh bie ndesh me rregullat dhe pritjet e përcaktuara nga të tjerët. Depresioni tek adoleshencë, sjell dhe vetvrasjen që shpesh ndodh pas një ngjarje stresuese të jetës.
Faktorët që rrisin rrezikun e vetëvrasjes tek adoleshentët përfshijnë:
- Një çrregullim psikologjik, veçanërisht depresionin;
- Ndjenja shqetësimi, nervozizmi ose axhitacioni;
- Humbja e shpresës;
- Ndjenjat e pavlefsisë që shpesh shoqërojnë depresionin;
- Abuzimi emocional, fizik ose seksual;
- Mungesa e mbështetjes;
- Mungesa e vëmendjes nga të tjerët, sdihen të lënë mënjëanë;
- Marrëdhënie të dobëta me prindërit ose bashkëmoshatarët;
- Ndjenjat e izolimit social;
- Frika ndaj mospranimit, gjykimit, ndëshkimit (në raste biseksualiteti ose homoseksualiteti);
Shenjat që paralajmërojnë aktin e vetëvrasjes janë:
- Duke paralajmëruar “Dëshiroj të zhdukem njëherë e përgjithmonë”, “Më mirë do ishte të kisha vdekur”.
- Duke folur pozitivisht për vdekjen ose vdekjen romantike (“Nëse unë vdisja, njerëzit mund të më donin më shumë”).
- Shkrimi i poezive apo letrave për vdekjen, ndarjen ose vetëvrasjen.
- Angazhimi në sjellje të euforike, të pakujdesshme.
- Dhënia e sendeve tyre personale me vlerë, njerëzve tjerë.
- Izolohen dhe tërhiqen nga familja dhe miqtë.
- Duke i përshëndetur miqtë dhe familjarët si për herë të fundit.
- Kërkojnë për armë, pilula ose mjete të tjera për të vrarë veten.
Konkluzion
Nëse jeni adoleshent dhe ndjeni simptomat e mësipërme, apo jeni prindi i një adoleshenti që po vuan nga depresioni kërkoni ndihmë.
Pavarësisht sa e dëshpëruar duket jeta tani, ka shumë gjëra që mund të bëni për të ndryshuar gjendjen shpirtërore dhe të filloni të ndjeheni më mirë sot.
Depresioni tek adoleshentët nuk duhet neglizhuar pasi rrezikohet mbi të gjitha jeta e tyre. Ju keni më shumë fuqi mbi veten tuaj sesa mund të mendoni. Mbani parasysh që informacionet më lart shërbejnë për informim jo diagnostikim. Diagnoza bëhet vetëm nga një profesionist i shëndetit mendor.