Teksa fëmija juaj rritet, ka gjasa që të kalojë akoma më shumë kohë në internet.

Ka shumë aspekte pozitive sa i përket internetit, si kontakti me miqtë dhe familjen, ndjekja e interesave dhe pjesëmarrja në komunitete. Megjithatë, jo gjithmonë mund të jetë një përvojë pozitive dhe e sigurt për fëmijët.

Ja disa mënyra për ta ndihmuar fëmijën tuaj t’i përdorë siç duhet të gjitha të mirat që ofrojnë interneti dhe teknologjitë digjitale, ndërkohë që e mbroni ndaj dëmeve të mundshme.

1. Vendosni rregulla të qarta

Bisedoni haptas me fëmijët tuaj për personat me të cilët ata komunikojnë, si komunikojnë me ta dhe se kush mund t’i shohë postimet e tyre në internet.

Shpjegojuni se çdo gjë që shpërndahet në internet – fotografi, video, komente, gjera që ata i shpërndajnë për të tjerët dhe që të tjerët i shpërndajnë me ta dhe për ta – lë gjurmë informacionesh rreth tyre. Ata duhet të kenë kujdes me gjërat që thonë apo bëjnë në internet, për t’u siguruar se po lënë “gjurmë pozitive digjitale”.

Sigurohuni se e kuptojnë që komunikimi diskriminues apo i papërshtatshëm nuk mund të jetë asnjëherë i pranueshëm. Askush nuk duhet të përhapë thashetheme apo të shpërndajë fotografi ose histori të turpshme apo lënduese. Ajo që dikujt mund t’i duket shaka pa dëm, mund të lëndojë dikë tjetër.

Nëse fëmija juaj përjeton diçka në internet, që e mërzit, e vë në siklet apo e frikëson, inkurajojeni që t’jua tregojë menjëherë juve ose një të rrituri të besuar.

Shpesh fëmijët i “njohin” kriminelët e abuzimit apo të ngacmimit në internet, prandaj është e rëndësishme që t’i ndihmojmë të jenë vigjilentë dhe të dinë si të përgjigjen ndaj sjelljeve problematike që hasin në internet.

Punoni me fëmijën tuaj dhe caktoni rregulla për mënyrën, kohën dhe vendin se ku duhen përdorur pajisjet.

Mendohuni përpara se të postoni

Mendohuni dy herë përpara se të postoni diçka në internet, veçanërisht nëse jeni i/e mërzitur ose i/e zemëruar. Është e vështirë të kontrolloni se çfarë ndodh me një mesazh, fotografi apo video, pasi ta keni shpërndarë. Është pothuajse e pamundur ta fshini.

Gjithashtu, kini parasysh se keni të drejta privatësie, ashtu si të tjerët. Është e gabuar të hyni në llogaritë e të tjerëve, të përdorni telefonin e tyre pa leje apo të shpërndani informacionet dhe fotografitë e tyre.

2. Përdorni teknologjinë për t’i mbrojtur

Sigurohuni se pajisja e fëmijës suaj është gjithnjë e përditësuar dhe operon softuerin më të fundit dhe se cilësimet e privatësisë janë ndezur dhe janë konfiguruar për të minimizuar mbledhjen e të dhënave, në mënyrë që njerëzit të mos shohin ndonjë informacion të padëshirueshëm për ju.

Ndihmojeni fëmijën të mësojë se si ta mbajë privat informacionin personal. Nëse cilësimet tuaja të privatësisë nuk janë të sigurta, atëherë informacionet tuja do të shihen nga kushdo.

Në rastet kur nuk i përdorni kamerat, mbulojini ato. Sa u përket fëmijëve më të vegjël, mund të përdorni mjete si kontrollet prindërore për kërkime të sigurta, që përvoja e fëmijëve tuaj në internet të jetë pozitive.

Bëni kujdes nga burimet pa pagesë në internet, përfshirë ato edukativet. Nëse fëmijës suaj i kërkohet të paraqesë një fotografi ose të tregojë emrin e tij të plotë, sigurohuni që faqja e internetit është e besuar.

Mendohuni përpara se të shpërndani

Ju mund t’i ndryshoni cilësimet e privatësisë në platformat e mediave tuaja sociale për të kontrolluar se kush sheh informacionin tuaj, përfshirë vendndodhjet tuaja.

Bëni kujdes me gjërat që shpërndani dhe me kë i shpërndani. Mos shpërndani informacione personale si adresa, numri i telefonit apo të dhënat tuaja bankare. Dhe mos ia tregoni askujt fjalëkalimet tuaja, as miqve tuaj më të ngushtë!

3. Kaloni kohë me ta në internet

Krijojini fëmijës suaj mundësi për ndërveprime pozitive dhe të sigurta në internet me miqtë, familjarët dhe me ju. Kontakti me të tjerët mund të jetë një mundësi e mirë që të jepni shembullin e mirësjelljes dhe empatisë gjatë ndërveprimeve virtuale.

Ndihmojeni fëmijën tuaj të njohë dhe të shmangë keqinformimin dhe informimin e gabuar, përmbajtjet e papërshtatshme për moshën dhe përmbajtjet që mund të shkaktojnë ankth apo dëme të tjera. Tregojuni burime të besuara informacioni.

Fëmijët mund të hasin reklama që promovojnë ushqime të pashëndetshme, stereotipa gjinorë ose materiale të papërshtatshme për moshën. Ndihmojini t’i njohin reklamat në internet dhe së bashku shfrytëzoni mundësinë për të eksploruar gjerat e gabuara në një mesazh negativ që shihni.

Kushtojini kohë fëmijës suaj për të identifikuar aplikacionet, lojërat dhe mënyrat e tjera të argëtimit të përshtatshme për moshën. Jini vigjilentë për aplikacione që mund të kenë përmbajtje të dëmshme ose që përbëjnë rrezik për privatësinë.

4. Tregoni zakone të shëndetshme në internet

Nxisni sjelljen pozitive në internet duke e praktikuar edhe ju. Jini të kujdesshëm me shembullin që jepni dhe gjërat që shpërndani në internet për fëmijën tuaj, përfshirë fotot dhe videot e tyre.

Inkurajojeni fëmijën të sillet mirë në internet dhe t’i mbështesë miqtë dhe familjarët duke dërguar mesazhe ose figura pozitive.

Nëse zhvillojnë orë mësimore në internet, inkurajojini t’i respektojnë të tjerët dhe të jenë të kujdesshëm për atë që shfaqet në kamerë për të ruajtur privatësinë.

Vini re nëse fëmija juaj duket i mërzitur ose mban të fshehta për aktivitetet e veta në internet. Sigurojini se nuk është asnjëherë faji i vet nëse përjeton abuzim apo ngacmim, gjë që nuk duhet ta fshehë.

Njihuni me politikat e të nxënit digjital të shkollës së fëmijës. Kërkoni burime dhe linja telefonike këshillimi vendore për çështjet më të fundit lidhur me sigurinë e fëmijëve në internet dhe mënyrave të raportimit të bullizmit kibernetik ose përmbajtjeve të papërshtatshme.

Mendohuni përpara se të pranoni

Përpara se të pranoni një kërkesë për miqësi, hidhini një sy profilit të personit dhe përpiquni të kuptoni se kush është. A keni miq të përbashkët? A jeni nga i njëjti qytet?

Mos u ndjeni nën presion për të pranuar kërkesa të rastësishme miqësie. Ndonjëherë njerëzit hiqen si dikush që nuk janë dhe është e vështirë të kuptojmë nëse po thonë të vërtetën.

5. Lërini të kënaqen dhe të shprehin veten

Mund të jetë mundësi e mirë që fëmijët tuaj të kalojnë kohë në internet, pasi mund të jenë krijues, të mësojnë, të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të mbështesin kauzat sociale që i konsiderojnë të rëndësishme.

Nxiteni fëmijën tuaj të përdorë burime në internet për t’i ndihmuar të jenë aktivë, si videot e ushtrimeve në internet për fëmijë dhe video lojëra, që përmbajnë lëvizje fizike.

Mos harroni të balanconi aktivitetet në internet me një stil jetese aktive dhe argëtim jashtë internetit për një balancë të shëndetshme në të gjitha aspektet e jetës.

Unicef