Shumë prindër shqetësohen për pastërtinë dhe rregullin kur bëhet fjalë për fëmijët e tyre, veçanërisht gjatë kohës së ushqimit. Megjithatë, ekspertët thonë se lënia e fëmijëve të “bëhen pis” me ushqimin është një pjesë thelbësore e zhvillimit të tyre të shëndetshëm. Kjo qasje jo vetëm që ndihmon fëmijët të eksplorojnë shijet dhe kënaqësinë e të ngrënit, por gjithashtu kontribuon në zhvillimin e tyre mendor dhe perceptues. Në këtë artikull, mjekja pediatre Lira Gjika tregon arsyet pse prindërit duhet të inkurajojnë fëmijët të eksperimentojnë me ushqimin dhe si kjo praktikë ndihmon në ndërtimin e një ekuilibri të shëndetshëm midis pavetëdijes dhe vetëdijes së fëmijës. Ja si shprehet ajo:

“Lëreni fëmijën të bëhet “pis” me ushqim, është vetëm shëndet. Lëreni dhe nxiteni që ta zbulojë vetë shijen dhe kënaqësinë e të ngrënit; mos u trembni se u bë pis dhe nuk është i bukur. Fëmija i pastër nuk tregon se prindërit janë cilësorë, por përkundrazi që e privojnë atë, fëmijën, nga kënaqësia e të gjeturit, e të zbuluarit vetë të mjedisit. Prindërit që privojnë fëmijën nga zbulimi do të thotë që nuk kanë njohuri mbi shëndetin mendor dhe se ai fillon të “shkojë” në vetëdije pikërisht me ushqimin, duke e shijuar dhe prekur vaft pas vafti. Ashtu si stimulohen gjëndrat sekretive të traktit orogastrointestinal për të prodhuar substancat që vlejnë për përpunimin e ushqimit, ashtu stimulohen dhe proceset psiqike drejt zhvillimit, njohjes dhe perceptimit. Duke ndërtuar ekuilibrin pavetëdije-vetëdije, duke mos lejuar aktivizimin e mekanizmave të harresës që të veprojnë dhe të shmangin procesin. Fëmija steril është po aq i papërfillur dhe i neglizhuar sa dhe fëmija i mbajtur pis.”